Stili autoritar dhe i rreptë i prindërimit

Stili autoritar dhe i rreptë i prindërimit

Nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Prindërimi autoritar ndërlidhet me një sistem familjar të ngurtë, që përjashton vlera dhe ide të jashtme, me rregulla strikte, të serta, të paarsyetuara e pashpjeguara, që pasojnë me denime të rrepta, të cilat shtrëngojnë, kufizojnë, nënshtrojnë, kritikojnë, qortojnë sjelljen e fëmijëve. Kryesisht, prindërit autoritar, kanë kërkesa të larta, por janë të pandjeshëm ndaj nevojave zhvillimore të fëmijëve, kështu që i sigurojnë mbështetje minimale emocionale. Emocionet për këta prindër janë shënja të temperamentit të keq, të pabindur, që synojnë të shëmbin standartin e rregullin e vendosur nga prindëri-autoriteti. Presin që fëmijët ti nënshtrohen autoritetit dhe pushtetit të tyre, ndaj dhe u japin shumë pak liri zgjedhje. Shpesh prindërit autoritar emërtohen dhe si prindër të rreptë. Gjithsesi, kanë ngjashmëri dhe nuk janë në terësi stile të ndryshme prindërimi. Prindërit e rreptë karakterizohen nga një ndjenjë e tepruar dashurie dhe kujdesi për fëmijën, por njëkohësisht kanë një nivel të lartë ankthi për imazhin që dëshirojnë të ketë familja në shoqëri, gjë që i bënë të fshehin ndjenjat e tyre prapa rreptësisë. Përgjithësisht, janë të ashpër në gjykime dhe presin që fëmijët e tyre të kenë sjellje perfekte në të gjitha fushat shoqërore që përfshihen, duke u bërë kërkues të tepruar. Ata shpesh shfaqen të pamëshirshëm në ndëshkim dhe në kufizimin e lirive të fëmijëve, veëanërisht të vajzave, duke dashur të formësojnë rrjedhën e zgjedhjeve të tyre. Më herët kjo arrihej me dhunë fizike, por ndër vite ushtrohet me shumë presion psikologjik.

Shkaqet e prindërimit autoritar dhe të rreptë

Prindërit për faktorë të ndryshëm mund të përzgjedhin pandërgjegjshmërisht një stil të caktuar prindërimi. Një faktor nxitës është edukimi vetjak i tyre dhe kthimi në stilin e prindërimit të familjes së origjinës, duke mos marrë në konsideratë tjetërsimet socio-kulturore. Mungesa e arsimit, padituria mbi jetën, familjen, ligjin, të drejtat, parimeve të komunikimit efektiv së bashku me mungesën e  mundësive për një jetë më të mirë, varfërinë ekstreme, mungesën e burimeve mbështetëse socio-ekonomike, mungesën e përgjegjësive kolektive për nivelin e jetesës sjellin nevojën prindërore për të nënshtruar në rregulla strikte fëmijët. Përpos këtyre, faktor i rëndësishëm nxitës janë problematikat e shëndetit mendor, çrregullimet e personalitetit, frika nga gabimet njollosëse, vetëvlerësimi i ulët dhe nevoja për t’u pranuar nga grupi, këndvështrimi mbi konceptet vlerë, normë, edukatë, disiplinë, kulturë, turp, zhgënjim, gabim bënë që të shfaqen praktika shtrënguese prindërimi.

Pasojat e prindërimit autoritar dhe të rreptë

Përgjithësisht stili autoritar dhe i rreptë prindërimi ngre polemika e nxit konfliktet e vazhdueshme në familje, të bazuara në papajtueshmërinë e autonomive dhe ndarjes së roleve dhe lirive. Përgjithësisht, krijojnë individ kompetent dhe të bindur, por me nivel lumturie, aftësish shoqërore, spontaniteti dhe vetëvlerësimi të ulët. Pra, këta fëmijë mësojnë se ndjenjat e tyre janë të gabuara, të papërshtatshme dhe të pavlefshme, ndaj dhe ka gjasa të kenë vështirësi në shprehjen e emocioneve të tyre. Fëmijët rriten përbrenda si njerëz bosh, që përshtaten me zor në rregulla, të pakënaqur, të turpshëm, të dënueshëm lehtë nga të tjerët, me një natyrë shumë të ndjeshme, me frikë shumë të madhe nga të gabuarit. Duke u rritur në një mjedis me konflikte, ndjesitë e krijuara si: stresi, mërzia, frika nga humbja e kontrollit emocional, detyrimi për t’u bindur autoritetit, krijon terren për adult të ardhshëm që nuk do kenë aftësi të zgjidhin probleme emocionale, të ndjejnë mirëkuptimin, të kontrollojnë zemërimin dhe do të kërkojnë gjithmonë aprovim të jashtëm. Si rrjedhojë, do jenë më të predispozuar për efekte të rëndësishme si në shëndetin mendor, emocional, ashtu edhe në zhvillimin e personalitetit dhe sjelljes së individit në terësi.

 

 

 

Leave a Comment