Vetëdëmtimi: dhimbja që shuan dhimbjen… (self-harm)

Vetëdëmtimi: dhimbja që shuan dhimbjen… (self-harm)

Nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Bessel van der Kolk thotë qartë se trauma kthehet si reagim dhe jo si kujtim.

Shkulje e flokëve dhe në publik, prerje në krahë dhe parakrahë, prerje në kofshë dhe rrallë prerje në fytyrë, djegja në lëkurë, goditja e lekurës apo gjymtyrëve, që shoqërohen me veshje të rrobave të gjera e të gjata për t’u mbuluar dhe pse është kohë e nxehtë, mbyllje në dhomë ose tualet pas çdo konflikti, mbyllje në vetëvete, komente negative për veten, rënia e interesit për çdo aktivitet, shfaqje nervozizmi, lidhen me gjendje të rënduara emocionale dhe në disa raste me depresionin. Këto shënja paralajmëruese shprehin qartë një ankth të brendshëm emocional, ku dëmtimi me qëllim, fizikisht, i vetes, i lejon të shprehet së jashtmi. Pra, vetëdëmtimi, si klithmë e fortë, merr formën e një spastrimi shpirtëror. Nga praktikuesit e kësaj strategjie të keqe menaxhimi emocional, vetëdëmtimi emërtohet, si: një sjellje që është e vështirë për t’u formuluar me fjalë, sepse bën kthimin e mendimeve të padukshme në diçka të dukshme dhe kthimin e dhimbjes emocionale në dhimbje fizike; sepse zvogëlon forcën e mendimeve dhe i lejon të përjetojnë sensin e të qënurit vazhdimisht nën kontroll; sepse i duket si diçka ku mund të mbështeten edhe njëkohësisht të ndëshkojnë veten për ndjenjat dhe eksperiencat personale të së kaluarës e së tashmes. Shpjegohet si një ndjenjë e të qënurit i ndrydhur dhe i shkëputur nga shoqëria, por njëkohësisht një ndjenjë e të qënurit gjallë, njëri dhe jo objekt jofrymorë. Pohohet si një ndjesi ku dhimbja, problemet, debatet, konfliktet, mospëlqimet, e kaluara zhduken dhe nuk kujtohen aq fuqishëm.

Persona të ndryshëm kanë arsye të ndryshme rreth vetëdëmtimit, pasi kjo sjellje është e lidhur ngushtë me eksperiencat personale. Të qënit pre e bullizmit, vështirësitë në shkollë, marrëdhëniet e ndërlikuara në familje dhe në shoqëri, pranimin e seksualitetit vetjak si të qënurit homoseksual, ose pranimin e çështjeve kulturore si martesat pa dëshirë, abuzimet fizike ose seksuale veçanërisht në fëmijëri, vdekja e një të afërmi, aborti, neglizhenca ose mbikontrolli prindëror, mungesa e komunikimit empatik brenda familjes janë disa nga faktorët ndikues në praktikimin e vetëdëmtimit nga adoleshentët e të rinjtë. Më të prekura duket të jenë femrat e grupmoshës 12 deri 16 vjeç, si moshë iniciuese, dhe mund të vijoi si praktik sistematike deri 24 vjeç në varësi të faktorëve personal e mjedisor. Shqetësuese është se një përqindje e konsiderueshme e rasteve të ndikuara nga faktor serioz familjar dhe social tentojnë praktimin e shpeshtë, e pavarësisht se qëllimi nuk është ti japin fund jetës, jo rrallë herë mund të tentohet dhe vetëvrasja.

Në momentin kur dikush fillon të mbështetet te vetëdëmtimi, do të duhet një kohë e gjatë që të ndaloi këtë sjellje. Ndaj, komunikimi i drejtëpërdrejtë lidhur me problemin nuk është gjithmonë produktiv duke qëne se një pjesë e praktikuesve e mohon, ndërsa një pjesë tjetër e pohon dhe premton te prindërit, mësuesit ose bashkëmoshatarët që e zbulojnë se nuk do e përsëris. Prindërit shpesh krijojnë iden se fëmija i tyre nuk do e përsëris se ia ka premtuar, por një person që nuk merr një ndihmë psikologjike ose psikiatrike të specializuar, në pjesën dërmuese të rasteve e përsërit.

Leave a Comment