*nga psikologe klinike: Krisalda Sauli
Lidhja me njerëz me element narcicizmi bëhet veçanërisht toksike dhe alternohet mes sharmit dhe manipulimit, dashurisë dhe kontrollit të ashpër. Nuk janë thjeshtë të vështira, disa janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që të mbajnë të bllokuar, pavarësisht se e di ose e ndjen që po të konsumojnë. Fillimisht marrëdhënia çift mund të ngjaj me pasion, epsh dashuror dhe kimi psikike, por më pas shndrohet në arenë mbytjeje, pasigurie dhe konfuzioni. Këto lloji marrëdhëniesh bazohen në një lidhje emocionale ku mungon qendrueshmëria dhe ndërtohen nga alternimi mes ciklit të keqtrajtim – idealizimit dhe shpresë – zhgënjimit.
Personi me element narcistike krijon natyrshëm pasiguri si pjesë të strategjisë, duke të vendosur herë në epiqendër të vëmëndjes dhe herë duke të ndëshkuar me heshtje dhe distancim. Fokusi është i qartë: fajin e ke ti. Në themel të nënvlerëson, të ul, të shanë, të ofendon, të shikon dhe të flet ashpër, mund dhe të godasi, krijon një imazh të keq për ty te të gjithë njerëzit që njeh ndërkohë që veten e prezanton si engjëll-viktimë. Mendon se ka triumfuar mbi ty, se pushteti i përket dhe se je izoluar, harruar, nënvlerësuar nga të gjithë. Dhe ti ja përforcon iden duke e justifikuar, duke e toleruar, duke i dhënë leksione që të kuptoi, duke pasur frikë, pasiguri për vete dhe të ardhmen pa të, duke ia falur edhe një herë tjetër. Në këtë mënyrë ti mbetesh në pritje të atij “momenti” të mirë, duke pritur në fakt për thërrime mirësjellje që ti pagëzon me titullin “dashuri”.
Persona me tipare narcistike rrallë mund të mbajnë përgjegjësitë e veprimeve të tyre, por edhe në ato raste do e formulojnë në mënyrë të tillë që përgjegjësia e shqetësimit tënd të bjerë mbi ty, dhe pa e kuptuar do e gjesh veten duke menduar se me të vertetë diçka nuk e bën saktë. Nëse reagon, je ekzagjerues ose dramatizon. Nëse largohesh, nuk ke zemër. Nëse lëndohesh, nuk di të bësh shaka ose nuk kupton. Madje nëse mendon se do ikësh, nuk ke ku shkon ose nuk ke aftësi tja dalësh pa të. Dhe ti vjen një moment që e beson, edhe pse diku brenda teje e ndjen se diçka nuk shkon, bindesh dhe jeton rraskapitur në izolim. Ky është dhe thelbi i dhimbjes, nuk ke më një partner që të lendon, tashme ke një kritikues të brendësuar që ti e mbron, deri në pikën ku sheh veten vetëm nga sytë e dhunuesit tend. Ndonjëherë edhe reagon, lodhesh, nuk duron dot më dhe aty fillon të sillet mirë, të marrë me të mira, të japi premtime dhe të betohet se do ndryshoi dhe do jeni të lumtur. Goditja dashurore-epshore e ardhur fill pas refuzimit dhe lëndimit, mund të krahasohet me efektin e qetësuesit anelgjezik fill pas dhimbjes të fortë. Dr. Patrick Carnes, shpjegon se personi i cili trajtohet me alternimin e urisë emocionale dhe sigurisë falce e gjen veten në një rreth varësie që duket thuajse e pamundur të thyhet pa ndihmë.
Shumë, ata që janë jashtë dhe janë pak më detajist, mund të pyesin “po pse qëndron akoma në atë raport”. Kjo shpjegohet përmes mënyrës së funksionimit të shpirtit njerëzor. Lidhja traumatike nuk është produkt idiotësie apo vetëbesimi të ulët, por është mekanizëm mbijetese. Sipas Dr. Ramani Durvasula, për të ikur nga një narcist nuk të nevojtet vetëm vendimi, por një rindërtim i identitetit tënd të brendshëm duke qënë se të është “shkulur” gradualisht. Qëndron me shpresën se dashuria do triumfoi mbi dhunën, me nevojën të mos dështosh, me forcën e zakonit nga varësia, zakonisht me trauma të vjetra të fëmijërisë që përsëriten brenda lidhjeve të reja. Shannon Thomas pohon se “nuk dashuron personin, dashuron premtimin që vazhdimisht shkelet dhe gjithmonë shpreson që kësaj here do mbahet”. Vështirësia më e madhe, pra, është që nuk mundesh të ikësh edhe pse e di që duhet ta bësh. Pra nuk të mbajnë rrethanat, të mban frika, por shumë më tepër të mban shpresa. Bindja se “do ndyshojë”, “do kuptoi”, “thellësisht është njëri i mire”, “e bën ngaqë ka trauma fëmijërie”, “dashuria kështu është”. Në fakt, këto përbëjnë mekanizmin e varësisë emocionale, shumë e ngjashme me lidhjen midis substancës që krijon varësi dhe të varurit prej saj.
Kështu që, largimi nuk është i thjeshtë. Por është i mundshëm. Hapi i parë është ndërgjegjësimi. Nuk ndryshon, nuk do e ndryshosh, nuk përmirësohet dhe nuk do kuptoi, dhe mbi të gjitha nuk meriton të trajtohesh në këtë mënyrë. Sa më shumë trajnohesh të dallosh skemat mendore, të identifikosh manipulimin psikologjik, të rilidhesh me veten, aq më shumë rifiton forcat e tua. Mbështetja psikologjike, psikoterapia, madje dhe grupet e strukturuara të mbështetjes së viktimave të lidhjeve abuzive mund të funksionojnë si ura mbështetëse përmes së cilës të kalosh nga frika te autonomia.