Përdorimi, abuzimi dhe varësia nga droga

Përdorimi, abuzimi dhe varësia nga droga

Nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Përdorimi i lëndëve narkotike zakonisht ka pikënisjen në moshën e paraadoleshencës e adoleshencës dhe vjen si pasojë e motimeve, si: kurioziteti,  argëtimi, integrimi në një grup shoqëror, çlodhja, lehtësimi i dhimbjes fizike e psikologjike momentale, bindja se është një veprim që të rrit e të jep prestigj, pakësimi i stresit, ulja e nivelit të inatit, imitimi. Jo të gjitha rastet e të paraadoleshentëve dhe adoleshentëve që provojnë një lloji substance do abuzojnë ose do krijojnë varësi prej saj. Pjesa më e madhe bëhen përdorues eksperimental ose përdorues situacional.

Nga përdorimi te abuzimi

Abuzimi me drogën nënkupton përdorimin e substancave psiko-aktive që mund të çojë në sindromën e varësisë, ndryshim në sjellje kognitive dhe fenomene fiziologjike të cilat zgjojnë dëshirën për të ripërdorur vazhdimisht, pavarësisht pasojave të dëmshme. Abuzimi fillon kur përdorimi i shpeshtë i drogës lë pasoja negative, si: lodhje, shqetësime shëndetësore të përsëritura, sy të kuq e të shndritshëm dhe kollë të zgjatur, ndryshime të personalitetit, ndryshim humori të papritur, nervozizëm, sjellje të pandërgjegjëshme, vetëvlerësim të ulët, gjykim të dobët, depresion të përgjithshëm dhe probleme me ligjin. Faktorët e rrezikut që nga përdorimi të kalohet në abuzim kategorizohen në personal dhe mjedisor, e janë më kompakt dhe të qëndrueshëm në jetën e përdoruesit.

Faktorët personal lidhen me disa element. Së pari, me përkatësinë gjinore. Nga studimet pohohet se meshkujt kanë tendencën të abuzojnë më shpesh me substancat, kryesisht ato ilegale, ndërkohë që femrat preferojnë substanca si nikotina dhe alkooli e disa herë stimulant të fortë. Së dyti, të qënurit i ri në moshë është një faktor risku. Mosha e paraadolëshencës dhe adoleshenca duket të jetë periudha ku iniciohen dhe abuzimet. Në këtë periudhë mund të shfaqen ndjenja vetëfajësimi, të shfaqen trauma të fëmijërisë së hershme dhe të dallohen më qartë problematikat e konfliktet e pazgjidhura në familje. Së treti, mungesa e aftësimit personal për të kaluar situata të vështira, për të marrë vendime, për të komunikuar e kompromentuar me të tjerë, për t’u relaksuar, si dhe sjelljet e hershme antisociale që personi ka adaptuar mund të bëhen motive të forta për të abuzuar me drogën. Së fundmi, individi mund të karakterizohet nga turpi, ankthi, frika, nervozizmi, hiperaktiviteti, vështirësive në të nxënë, niveli i ulët përqëndrimi, që ndikojnë në shfaqjen e vështirësive në ndërtimin e marrëdhënieve ndërpersonale dhe i nxisin nevojën për distancim nga problemet e llogaridhënien. Përgjithësisht, në bazë të statistikave dhe studimeve, personat të cilët krijojnë varësi nga substancat janë persona që nuk janë socializuar në mënyrë të shëndetshme dhe që kanë një probabilitet të lartë të vuajnë nga çrregullime të ankthit, çrregullime të humorit, somatoforme ose të personalitetit.

Duke iu referuar faktorëve mjedisor, që ndikojnë në abuzimin me substancat narkotike, do të përmënden: mungesa e mbështetjes emocionale dhe psikologjike nga prindërit, në disa raste dhe mungesa totale e atmosferës familjare. Ndikim duket të ketë dhuna fizike, psikologjike ose seksuale e ushtruar te individi, si dhe mungesa e angazhimit të të riut në aktivitete. Një element tjetër që nxit individët të bëhen përdorues dhe abuzues të drogave, është prania e një ose disa personave përdorues në rrethin familjar ose/dhe atë shoqëror, gjë që i mundëson më lehtë aksesin në lloje të ndryshme substancash. Studime vendosin si një ndër shkaqet dhe gjenetikën. Pra, sipas kësaj teorie ka individ që janë të predispozuar gjenetikisht për të abuzuar me substancat dhe bazohet në rezultate që tregojnë se kur një prind është përdorues i rregullt dhe fëmija i tij do të abuzojë me drogat edhe pse mund të mos jetë rritur nga prindërit e tij biologjik.

Nga abuzimi te varësia

DSM-ja ka vendosur të dyja manifestimet e varësisë, fizike dhe psikologjike të drogave patologjike, nën dy kategori diagnostikuese: “varësia nga substancat” dhe “abuzimi me substancat”. Të dy problemet janë përcaktuar me terma të kritereve bihevjorale. Pra, problemi i përdorimit të substancave qëndron jo te droga por në mënyrën sesi personi e përdor atë. Që një person të klasifikohet me diagnozën “abuzim me substancat”, duhet të tregojë njerën prej pohimeve të mëposhtme:

  1. Dështime në marrjen e drogës për të përmbushur detyrimet e mëdha.
  2. Përdorim i vonshëm i drogës edhe në situata të vështira fizike.
  3. Probleme ligjore të lidhura me drogën.

D.Problemi i vazhdueshëm i marrjes së drogës pavarësisht nga problemet sociale ose interpersonale.

Ndërkohë, për ta kategorizuar në “varësi nga droga” ka shtatë kritere ku përmbushja e tre prej tyre përcakton këtë diagnozë:

  1. Preokupimi për drogën: kriter që nënkupton një sasi të madhe kohe e cila harxhohet në aktivitete të nevojshme për të siguruar substancën (p.sh.: vjedhje, etj) dhe në marrjen e substancës ose në përfitimin e efekteve të saj.
  2. Mbidoza ose overdoza e pamenduar: i referohet përdorimit të çdo lloj droge në një sasi të tepruar të cilën organizmi nuk është në gjëndje t’a konsumojë.
  3. Toleranca ose durresa: është një veçori e varësisë nga substancat psikotrope, në të cilin një përdorues bëhet më pak i ndjeshëm ndaj efekteve të drogës pas përdorimit të përsëritur. Përdoruesi duhet të marrë një sasi më të madhe e në një kohë më të shpeshtë një drogë për të arritur të njëjtin ndjesi apo efekt euforik.
  4. Tërheqja: një kriter i cili thekson se me përdorimin e zgjatur të drogës, trupi kërkon drogë me qëllim ruajtjen e homeostazës. Në rast se personi i varur ndaj drogës ndërpret përdorimin e saj ose e pakëson sasinë që merr, personi përjeton simptomat e tërheqjes, që janë reagime fizike shumë të pakëndshme, për shkak se trupi ri-regjistrohet që të funksionojë pa praninë e drogës
  5. Dëshira e vazhdueshme për të kontrolluar përdorimin e drogës: shumë persona që e përdorin atë përpiqen ta lënë dhe përfundojnë sërish në marrjen e saj, si të mbyllur në një rreth vicioz. Ndaj në thelb varësia nga droga është çrregullim kronik.
  6. Braktisja e aktiviteteve sociale, okupacionale dhe rikrijuese për hir të drogës: shumë nga funksionet e jetës konfliktohen me përdorimin e rëndë të drogës dhe si rezultat mund të nxisi distancimin prej saj.
  7. Përdorimi i vazhdueshëm i drogës pavarësisht nga problemet serioze të lidhura me të: shumë njerëz, për shëmbull, pinë duhan edhe pse ai shkakton shumë probleme me shëndetin.

Zakonisht një personalitet i varur nga substancat shfaq simptoma, si: sjellje antisociale, vështirësi në marrjen e kënaqësisë, izolim social, vështirësi në formimin e marrëdhënieve sociale dhe intime të qëndrueshme, vështirësi në përshtatjen me rregullat, vlerat dhe normat, rezistenca të pakëta, mundësi të kufizuara për të menaxhuar ankthin dhe emocionet negative të krijuara gjatë ditës, vështirësi në ndjekjen dhe formimin e synimeve individuale, fokusim në kënaqësinë tani e këtu,  shpjegim i së vërtetës në nuanca bardhë e zi, të gjitha ose asgjë, perceptim i së vërtetës në mënyrë pesimiste.

Ajo që duhet të theksohet ështe që përdoruesit e drogës janë njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe për mbeshtetje familjare, sociale dhe sigurisht trajtim shumëdimensional nga profesionistët e shëndetit mendor.

Leave a Comment