Atak paniku: çfarë të bëj?

Atak paniku: çfarë të bëj?

Reflektim nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Djersitje, rrahje të shpejta zemre, ndjesi e peshës në kraharor, tensionim i lartë, skuqje në fytyrë, mendime të ndryshme, frikë e madhe, ndjesi shpimesh, ndjenja që nuk di se kush je dhe ku je dhe nëse do mund të kthehesh në normalitet, janë disa nga simptomat e një ataku paniku. Më pas, qetësi simptomatike, por mendimet ende i bluan në mendje: A do përsëritet? A do jem në gjendje ta përballoj kësaj here? Si do jetoj gjithe jetën time me këto simptoma? A do jenë gjithmonë njerëz rreth meje që të më ndihmojnë? Si do mendojnë për mua tani që u “sëmura”? Tani sjam më i fortë, si do jetoj?

Paniku është një kamban alarmi, ku trupi të kërkon ndihmë, të kërkon ta dëgjosh, ku të tregon se je zënë ngushtë, se po mbytesh, të tregon se nuk është rehat. Trupi po të kërkon të zgjohesh dhe të bësh diçka për të; për gjithë atë vuajtje që e ke mbushur dhe si ke dhënë rëndësinë e duhur; që nuk e ke mësuar si të vuaj shëndetshëm por e ke bërë të shmangi, të fshihet, të rri i heshtur dhe të jetë larg teje. Paniku është një mundësi, një mundësi e re për ty, të ndërpresësh të gjitha ato që të fusin në ankth ose të paktën ti ndryshosh, të paktën të përmirësosh. Paniku është mënyra se si trupi po “vjell” të gjitha ato që të sëmurën: çaste që të dhanë shuplakë dhe ti nuk ishte gati për to; fjalë që nuk munde ti thuash dhe të mbysin në fyt, të mblidhen lemsh e të lëvizin nëpër trup, të trembin, të dhëmbin, por ke mësuar ti justifikosh. Paniku është zgjim nga gjumi litargjik i marrëdhënies tende me veten, është butoni i aktivizimit që ta rishohësh historinë tende dhe të kesh stil të rri në shkrimin e kapitujve në vazhdim.

Paniku nuk zgjatë përgjithmonë. Do qëndroi me ty deri sa të marrësh mësimin që ka ardhur të të japi; deri sa të “vjellësh” ato që ke mbledhur dhe si ke kushtuar rëndësi; deri sa ta shohësh, besosh e përdorësh si mundësi për përmirësim në jetën tende. Ndaj kur fillon e të “godet” thjeshtë qëndro i qetë. Ndalo ta luftosh duke i kërkuar të iki me doemos e sa më shpejtë, se ai do jetë gjithmonë e më i fuqishëm. Përpiqu të dëgjosh se çfarë ka për të të thënë. Përpiqu të dallosh me çfarë ngjan nga “fantazmat” që ke brenda teje. Përpiqu ta shohësh në sy dhe ti tregosh se je më i fortë se ai. Përpiqu të mendosh larg kornizave që ai të fut kur të “godet”. Përpiqu ta njohësh dhe të dallosh çfarë kërkon prej teje. Atëherë do shohësh që ai do iki. Bashkë me të dhe gjithë frika që të pushton lidhur me të. Bashkë me të dhe shumë nga mbetjet e vjetra që nuk kishe më ku ti përdorësh. Kërko ndihmë, beje për ty, kërko të zbulosh ato që të sollën këtë panik dhe nëse i di tashmë vazhdo të mësosh se si të ngrihesh duke hequr një nga një peshat nga shpatullat e tua.

Paniku zgjatë fillimisht disa minuta, por dhimbja më e madhe është vendi i pushtetshëm që zë mbi ty. Askush nuk është imun nga të përjetuarit atak paniku. Qoftë i fortë apo i dobët, qoftë mashkull apo femër, qoftë i vogël apo i rritur. Gjithsecili mund ta përjetoi dhe shpesh ka nevojë për ndihmë të specializuar, nëse përsëritet më shumë se dy herë java në një periudhë dy deri katër javore dhe është duke kufizuar përditshmërinë e prishur cilësinë e jetës.

Leave a Comment