nga: Klorinda Serani, psikologe këshillimi
Qëllimi kryesor i edukimit seksual nuk është të përgatisë një fëmijë për aktivitetin seksual, por të japë njohuri për emocionet, kufijtë, të drejtat seksuale dhe identitetin e tij.
Edukimi seksual forcon vetëvlerësimin e fëmijës dhe rrit njohuritë e tyre për veten. Fëmija respekton veten, vendos kufijë, thotë “STOP”, kërkon ndihmë. Trupi i tij është vetëm i tij dhe çdo kush duhet ta respektojë.
“A e di se askush nuk duhet të preki trupin tënd pa lejen tënde? Gjithmonë duhet ti thuash “JO” diçkaje që nuk të pëlqen apo nuk dëshiron ta besh. Ti je vetë zot për trupin tend”. – (Fëmija mbrohet)
Ky është edukimi që i duhët dhënë fëmijëve të grupmoshave 5-11 vjeç. Por tashmë është konkluduar në shumë studime dhe janë dakortësuar profesionistët se ky edukim fillon që në moshën 3 vjeç, periudhë ku te fëmijët zhvillohet kuptim bazë i trupit dhe fillojnë të bëjn dallimin: “Jam vajzë, jam djalë” dhe nis për herë të parë procesi i ndërtimit të identitetit.
Disa rekomandime:
-Kur flisni me fëmijët për seksualitetin, i shpjegoni gjërat në një mënyrë që fëmija juaj të mund të kuptojë, duke pasur parasysh moshën dhe nivelin e zhvillimit të tyre.
-Mësojini fëmijët privatësinë e trupit. Shpjegoni, kur është e përshtatshme të jenë lakuriq (në tualet, kur bëjnë dush, në dhomën e tyre personale) dhe kur nuk është e përshtatshme.
-Femijet duhet të jenë të informuar për rregullat e komunikimit me të huaj dhe shpërndarjes së fotografive e videove private në internet dhe të jenë të qartëuar për hapat që duhet të ndjekin në rast se gjenden në situata të pakëndshme.
-Mbani mend se nuk është e nevojshme të japim informacione dhe përgjigje për pyetje që fëmija nuk na i ka bërë. Nuk është e nevojshme t`i mbingarkojmë me informacione.
– Jini të sinqertë me përgjigjet që do I jepni fëmijës suaj lidhur me pyetje që do mund t’ju drejtojnë.
-Mos harroni se edukimi seksual është një proces i vazhdueshëm. Fëmijët mund të kenë nevojë që disa gjëra të përsëriten në mënyrë që ti kuptojnë. Vazhdoni të flisni dhe t`ua përsërisni dhe shpjegoni me të njëjtën ndershmëri.