Njerëzit e mirë në fokusin e njerëzve manipulator

Njerëzit e mirë në fokusin e njerëzve manipulator

nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Në terësinë e njerëzve takojmë personalitete nga më të admirueshme deri në të frikshme. Një njëri manipulator ka nevojë për kontroll dhe për ta arritur këtë përdor shumë mënyra si: gënjeshtra, shkelje mbi ndjenjat e fajit, ulja e vetëvlerësimit të tjetrit. Arsyet që e shtynë në këtë veprimtari janë të shumëllojshme, duke nisur nga përfitimi personal deri te ushtrimi i pushtetit ose fshehja e pasigurisë vetjake. Ndërkohë, zemërmirët janë për manipulatorët shenjestra e thjeshtë, duke qënë se zgjidhen me qëllim, bazuar në cilësitë e personalitetit që kanë.

Çfarë bëjnë ose kanë zemerëmirët që të jenë lehtësisht të aksesueshëm nga manipulatorët?

  1. Kanë empati dhe mirëkuptim: Shpesh njerëzit e mirë i mendojnë të tjerët si vetja dhe kanë tendencën të jenë mbështetës, mirëkuptues dhe të afrueshëm. Manipulatorët i përdorin këto cilësi, duke paraqitur veten si viktima që kanë nevojë për ndihmë ose mbështetje, kështu që detyrojnë zemërmirin ti ndihmojë ose të përshtatet me nevojat e tyre.
  2. Nuk thonë “jo”: Duke qënë se njerëzit e mirë kanë nevojë ti bëjnë të tjerët të ndihen të lumtur, shmangin të vendosin kufijë të qartë dhe të vlerësojnë më shumë veten. Manipulatorët e evidentojnë këtë karakteristik shumë shpejtë dhe e përdorin për të arritur qëllimet e tyre.
  3. Shmangin të lëndojnë të tjerët: Njerëzit e butë shpesh kanë frikë të humbasin raporte, përjetojnë ndjenja faji dhe mendojnë të kujdesen çfarë thonë dhe si sillen që të mos lendojnë ndjenjat e tjetrit. Këtë tipar manipulatorët e përdorin fuqishëm, duke synuar ti shtojnë ndjenjat e fajit me qëllim që ti bindin të zbatojnë rolin në raportin ku ndodhen në përputhje të plotë me manipulimin.
  4. Shmangin konfliktin: Njerëzit e sjellshëm zakonisht përpiqen fuqishëm të jenë në harmoni dhe në qetësi marrëdhëniet. Kështu që një manipulator krijon rrethana të tilla, që ta detyrojë të nënshtrohet, të bindet, të mos reagojë që të shmangen debatet, kundërshtimet e si përfundim konfliktet.

Ndërkohë që manipulimi vazhdon, njëriu zemërmirë mund të fillojë të ndihet i vetmuar, i izoluar, i mbyllur, i përdorur ose mund të filloj të humbasi sensin e vetes dhe jetës. Këtu tashme janë dhënë qartë shënja se kjo marrëdhënie mes tyre nuk është e shëndetshme dhe kërkohet të dali nga ajo situatë dhe të çlirohet.

Si të shpëtoi dikush nëse është viktim manipulimi?

Hapi i parë është pranimi se është manipuluar. Duhet dhënë një vëmëndje shumë e madhe shënjave të cilat lidhen me ndjesinë e vazhdueshme se është i izoluar, ka ndjenja faji ose paqartësie në mendime, turbullim mendimi lidhur me ngjarje e sjellje, ndjenja pavlefshmërie të përforcuara nga jashtë, humbje e besimit te njerëzit e tjerë.

Hapi i dytë është të vendosurit kufijë të qartë. Praktikisht, të thuhet “jo” pa u ndjerë në faji dhe duke kuptuar që nuk është përgjegjësia vetjake të kënaqi pretendimet e tjetrit. Largimi nga një raport toksik, nga një marrrëdhënie që sjellë ndjesi negative dhe nxit dyshimin mbi veten.

Hapi i tretë është të kërkuarit mbështetje nga njerëz të besuar, si miq dhe familjar ose të kërkuarit ndihmë nga profesionist të shëndetit mendor. Mbani mend se nuk është e nevojshme ta kaloni vetëm largimin nga një person manipulator dhe një marrëdhënie toksike, por kërkoni ndihmë dhe pavarësisht vështirësisë rrugëtimi juaj do kaloi në një rrugicë plot respekt për veten dhe me lidhje realiste e të shëndetshme.

Duke evidentuar dhe njohur sjelljet manipulative, vendosur kufijë të qëndrueshëm, njerëzit e mirë do mund të vazhdojnë të përcojnë mirësi pa qënë viktima manipulimi.

Leave a Comment