ANOREKSIA NERVORE

ANOREKSIA NERVORE

Nga: Krisalda Sauli, psikologe klinike

Dëshira për të arritur linja trupore “perfekte” përmes dietave të rrepta, shpesh herë tjetërsohet në armik të shëndetit. Anoreksia nervore nënkupton dëshirën e egzagjeruar, për të qënë të dobët duke kontrolluar të ngrënit. Meqënëse “pasqyra” prezantonë një imazh të deformuar të trupit i bën të konsiderojnë veten shumë më të trashë se sa në realitet janë edhe në periudhat kur pesha fizike realisht është nën normë. Duke menduar vazhdimisht se janë mbipeshë, fillimisht mundohen të hanë sa më pak ushqime me kalori të shumta ose nëse i kanë konsumuar këto ushqime, shkaktojnë të vjella duke e nxjerr ushqimin. Në vazhdim, nga frika se mos shtojnë në peshë, pavarësisht urisë që kanë, stopojnë gradualisht deri totalisht konsumimin e çdo kategorie ushqimore. Specifikisht anoreksia nervore, e cila vihet re në të gjitha grupmoshat, mund të përbëj një formë të qartë vetëdëmtimi, shpesh e gërshetuar dhe me çrregullime të tjera të shëndetit mendor, që mund të ndikojnë në zhvilimin psikomotor dhe konjitiv.

Më konkretisht, anoreksia nervore ndikon në paraqitjen e problemeve të ndryshme shëndetësore në nivel fizik, mendor dhe emocional. Rënia drastike në peshë reflekton në shqetësime organike, hormonale, sëmundje gjaku dhe në regres të funksionimit të përgjithshëm të organizmit. Shënjat mbi luhatjen afatgjatë të gjendjes së humorit lidhen me këputje fizike, ndjenja izolimi, mungesa të mendimit analitik e abstrakt, ndonjëherë vonesë në komunikim dhe arsyetim, kujtesë të kufizuar, shpesh mungesë interesi për aktivitete të pëlqyera, nervozizëm, ndjenja padurimi, mërzi, lodhje, irritueshmëri, ciklotimi, pohim për ndjenja boshësie dhe pavlerëshmërie dhe mund të përmenden mendime suicidale.

Faktorët ndikues

Një gjëndje emocionale vazhdimisht negative e cila shoqërohet me disa faktor, si: vetëvlerësimi i ulët, nënvlerësimi i aparencës fizike, ndjenja ankthi dhe faji, nevoja për të qënë i pranuar, neglizhenca prindërore, bullizmi në mjedisin shkollor, trauma të mbartura fëmijërie, gjenetika, etj., ndikojnë në shfaqjen e anoreksisë nervore. Këta pacient kanë një mungesë të sensit për autonomi. Sipas psikodinamistëve mendohet se janë të paaftë të ndajnë psikologjikisht veteveten nga nënat e tyre, duket sikur duan të ndalojnë rritjen e tyre duke ndëshkuar veten.  Përgjithësisht jetojnë në familje konflikt-shmangëse, kështu që e kanë të vështirë të shprehin parehatinë së jashtmi dhe gjejnë këtë formë për të shpërthyer ankthin e tyre.

Personat që vuajnë nga anoreksia nervore shpesh herë e mohojnë si problematik, refuzojnë ta pranojnë, nuk janë të ndërgjegjësshëm për të, ndaj mund të paraqesin nervozizëm nëse i vendoset në dukje refuzimi për të ngrënë ose dobësimi i theksuar. Në shumicën e rasteve kujdesen mos të vihet re rënia drastike që kanë në peshë duke veshur veshje të gjëra e të trasha, ndërsa në disa raste mund të ekspozojnë trupin e dobësinë e tyre për të hedhur fajin të të tjerët që arritën në këtë gjendje.

Trajtimi i anoreksisë nervore

Duhet theksuar, se dobësimi fizik e mendor kufizojnë ndjeshëm vendimmarrjen dhe bashkëpunimin, ndaj dhe paraqiten shumë rrallë dhe pasi kanë shumë probleme shëndetësore bashkëshoqëruese te mjeku, angazhohen shumë vështirë të pranojnë problemin dhe janë shumë rezistent në fillime të trajtimit. Terapia që ndiqet për të tilla raste është afatgjatë dhe kërkon ndërhyrjen në disa plane, ku përmendet plani fizik lidhur me zhvillimin trupor, plani psikologjik lidhur me çregullimet psikologjike bashkëshoqëruese dhe plani social lidhur me raportet shoqërore. Terapia familjare dhe psikoedukimi i familjes është nga pjesët më të rëndësishme të planit të ndërhyrjes. Në rastet e nevojës për hospitalizim të pacientëve zakonisht terapitë kanë qasje bihevjorale, edukacionale, psikoterapeutike në kombinim me medikamente psikotrope dhe terapi grupi. Në rastet e tjera, mund të ndërhyhet me psikoedukim të pacientëve, psikoterapi individuale zakonisht psikodinamike ose terapi me qasje konjitiv-bihevjorale.

Leave a Comment